05/03/2024

Bashkimi me shtatë fitore në shtatë ndeshje

Bashkimi ka vazhduar me fitore në Liga Unike Femrat, duke regjistruar fitoren e shtatë në po aq ndeshje të zhvilluara, njëkohësisht skuadra e vetme pa humbje. Prizrenaset në sfidën e fundit kanë mundur Partizanin me rezultat 76:44 (16:14, 18:7, 18:8, 24:15).

Vetëm çereku i parë ishte i baraspeshuar, më pas kampionet e Kosovës treguan fuqinë, duke ngritur epërsinë minutë pas minute dhe për të triumfuar në fund 76:44.

Bindshëm më e mira te vendaset ishte Aulona Muhadri me 19 pikë, 18 kërcime dhe gjashtë asistime, kurse te mysafiret Sophia Jacobsson kishte 12 pikë.

Derisa Bashkimi ka shtatë fitore në shtatë ndeshje, Partizani ka dy fitore e pesë humbje.