06/03/2023

Java e fundit në Ligën Unike të Femrave

Në mesjavë zhvillohet xhiroja e dhjetë në Ligën Unike të Femrave apo e fundit për garat e rregullta, ku do të caktohet renditja përfundimtare dhe skuadrat që do të hyjnë në “Play-off”.

Final 4 i Ligës Unike të Femrave do të zhvillohet në Vlorë më 15-16 mars.

Takimi i parë i kësaj xhiro është ndërmjet Penzës dhe Prishtinës. Këto dy skuadra u përballën edhe të premten në Superligën e Femrave në Kosovë, ku fituan vashat prishtinase 62:80. Në ndeshjen e parë të këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave, prishtinaset kishin triumfuar bindshëm 91:68. Pejanet kanë dy fitore e shtatë humbje në Ligën Unike, kurse kryeqytetaset e Kosovës kanë pesë fitore e katër humbje.

Të mërkurën do të zhvillohen dy takimet tjera. Bashkimi do të ndeshet me Tiranën. Prizrenaset kanë gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa tiranaset tri fitore e gjashtë humbje.

Dueli i fundit zhvillohet mes Partizanit dhe Flamurtarit. Skuadra tiranase është në vendin e katërt me katër fitore e pesë humbje, ndërsa ajo vlonjate ka shtatë fitore e dy humbje.

Liga Unike e Femrave – Java 10

E martë

17:00 Penza - Prishtina

E mërkurë

17:00 Bashkimi - Tirana

17:00 Flamurtari – Partizani