08/07/2021

Konkurs për Komesar të Garave në Ligën Unike

Konkurs për Komesar të Garave në Ligën Unike

 

Në bazë të nenit 24 të Statutit të Ligës UNIKE, Liga shpall konkurs për zgjedhjen e Komesarit të Garave për Ligën Unike në basketboll.

Liga e parë mbarëkombëtare e themeluar nga dy Federatat nacionale, respektivisht nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Federata e Basketbollit e Kosovës, nën ombrellën e FIBA Europe dhe me përkrahjen e të dy qeverive, është themeluar me 10 shtator 2020. Ekipet më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë garojnë për titullin më prestigjioz të Kampionit Mbarëkombëtar shqiptar, në dy kategoritë përmes 106 ndeshjeve të zhvilluara gjatë një edicioni në Tiranë, Prishtinë, Vlorë, Pejë, Durrës, Prizren, Shkodër, Suharekë dhe Rahovec.

Kushtet e përgjithshme të përzgjedhjes:

Kandidatët potencialë për postin e Komesarit të Garave në Ligën UNIKE duhet t'i plotësojnë kriteret minimale të përzgjedhjes në vijim:

-Të ketë së paku tri (3) vite përvojë në pozita udhëheqëse në institucione sportive.

-Të ketë njohuri të thukëta për sportin e basketbollit, menaxhmentin sportiv dhe për ndarjen e drejtësisë në fushën e lojës.

-Të ketë njohuri të shkëlqyeshme në punën me aplikacionet e MS Office, Excel dhe komunikim elektronik.

-Të jetë një person me vetë-iniciativë, i sigurt në punë dhe me një qëndrim pozitiv.

-Të ketë aftësi për tu angazhuar dhe i motivuar për punë.

-Të ketë aftësi të shkëlqyeshme të prezantimit.

-Të ketë aftësi për të punuar në ekip.

-Të njohë shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

-Të jetë i gatshëm për të punuar jashtë orarit të punës dhe fundjavave, në rast të nevojës.

-Të posedoj kategorinë “B” për drejtimin e automjeteve.

Përveç kritereve të mësipërme të përzgjedhjes, Bordi Drejtues i Ligës UNIKE do t'i shqyrtojë me prioritet të gjithë kandidatët që kanë përgatitje profesionale për postin e Komesarit të Garave për Ligën UNIKE.

Informata për kandidatët:

Vendi i punës për këtë pozitë është në zyrat e Ligës Unike në Prishtinë. Ftohen të gjithë kandidatët e interesuar që t'i dorëzojnë biografitë e tyre (CV), të përcjella me një letër motivimi prej 8 deri më 14 korrik 2021 në ora 16:00, në zyrat e Ligës UNIKE, apo të njëjtat t'i dërgojnë përmes postës elektronike në adresën dren.zatriqi@ligaunike.com, me titullin KONKURSI PËR POSTIN KOMESARI I GARAVE PËR LIGËN UNIKE.

Liga UNIKE është organizatë, e cila inkurajon punësimin e të gjitha gjinive dhe komuniteteve.