13/04/2021

Ylli triumfon në Durrës, kualifikohet në finale

Golden Eagle Ylli ka kaluar në finale të Ligës Unike, duke mundur Goga Basket 74:86 (18:22, 31:19, 16:22, 9:23), në gjysmëfinale të kësaj gare.

Çereku i parë ishte i baraspeshuar me të dy skuadrat që herë njëra e herë tjetra kalonin në epërsi, derisa Ylli arrin që të fitojë këtë pjesë 18:22. Edhe perioda e dytë ishte kryesisht e barabartë, ku të dy skuadrat tregonin dëshirën e madhe për të fituar, por në fund skuadra durrësake me një seri të mirë, e përfundon pjesën e parë në të mirë të tyre 49:41.

Ylli u rikthye në periodën e tretë, duke treguar një lojë të mirë dhe dy minuta nga fundi, barazon shifrat në 60:60, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 65:63. Kjo bëri që 10 minutat e fundit të ishin shumë interesant dhe vendimtar. Ylli shkëlqen në periudhën e fundit, ku arrin epërsinë më të lartë 69:82. Goga tenton të rikthehet në fund, por nuk ia arrin qëllimit dhe skuadra nga Theranda fiton 74:86.

Te Goga Basket u dalluan Milic Blagojeviq me 26 pikë e 8 kërcime dhe Endrit Hysenagolli me 11 pikë e 14 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Elayja Clark me 18 pikë e 6 kërcime, Gëzim Morina me 12 pikë e 11 kërcime, Lg Gill me 15 pikë dhe Valon Bunjaku me 13 pikë.

Ylli në finale do të përballet me Pejën, kurse Rahoveci do të ndeshet me Goga Basket për vendin e tretë.

14 Prill

16:00 Ndeshja për vendin e tretë

19:00 Finalja e madhe